/ NGA MyWedding Albania/ Nusja dhe Dhëndri/

Edhe nëse keni vite apo ditë të martuar, një martesë e shëndetshme ka disa cilësi të cilat duhet t’i dini. Ndaloni pak dhe pyesni veten: “A është perfekte martesa ime?” Nëse u përgjigjët me “jo”, jeni në rrugën e duhur. Në jetë nuk ekziston perfektja dhe e njëjta gjë ndodh dhe për lidhjet tona. Tani pyeteni veten nëse martesa juaj është e shëndetshme. Ndoshta këtu do të hezitoni pak. Kush janë cilësitë që përcaktojnë nëse një martesë është e shëndetshme apo jo? Si t’i dallojmë e gjykojmë ato? Sipas ekspertëve të lidhjeve, ato listohen si më poshtë:

1. Ju i bëni pyetje njëri-tjetrit.

Pas shumë vitesh apo dhe dekadash të martuar, shumica e çifteve bien në një rutinë ku nuk bashkëbisedojnë më, nuk kërkojnë mendimin e njëri-tjetrit. Por, kjo është një zbehje e bashkëpunimit dhe dashurisë. Nëse ju jeni në gjendje të bashkëbisedoni me partnerin/en tuaj, të jepni mendimin tuaj për një çështje edhe nëse e dini që ata do ju kundërshtojnë, kjo është një shenjë që martesa juaj është një martesë e shëndetshme.

2. Mund të gjeni zgjidhje për nevojat tuaja.

Nëse doni të ndiheni në rregull me marrëdhënien tuaj në çift, ajo që duhet të bëni është të pranoni kur keni nevojë për diçka. Vendimi që do të merrni duhet t’i shërbejë nevojave të atij që e kërkon një gjë të tillë. Akoma dhe më mirë nëse ky vendim do të shërbente dhe për forcimin e martesës suaj. Zgjidhja duhet të dalë nga një bashkëbisedim logjik dhe nga një përplasje emocionesh.

3. E pranoni faktin që martesa nuk është e lehtë.

Shumë të sapomartuar e pranojnë faktin që të martohesh do të thotë të kesh një përgjegjësi më tepër mbi supe dhe kjo është një gjë shumë e mirë. Gjatë një martese do ju duhet të bashkëpunoni për gjithçka dhe në çdo gjë do ju duhet të gjeni gjuhën e përbashkët. Normalisht, problemet më të mëdha në një martesë janë financat familjare. Ajo që duhet të bëni është të uleni dhe të bisedoni për këto probleme dhe t’u kushtoni rëndësinë e duhur.

4. Ju mendoni si një skuadër.

Nëse ju dhe partneri/ja juaj mendoni si një skuadër, pra përpiqeni të merrni vendime që kanë përfitime për ju si çift dhe jo si individë, atëherë mund të thoni që martesa juaj është e shëndetshme. “Zëri i skuadrës” shihet tek mënyra që ju përpiqeni të zgjidhni problemet dhe nëse ju vendosni që kjo skuadër të forcohet sa më shumë me kalimin e ditëve.

5. Të dy keni respekt reciprok për njëri-tjetrin.

Respekti është përbërësi më i rëndësishëm në një marrëdhënie të fortë. Të respektosh partnerin/en tuaj do të thotë të duash më të mirën për ta dhe të bësh gjithçka në mënyrë që ata të ndihen të lumtur. Ky respekt bie në sy në mënyrën se si ju flisni për ta me të tjerët, sa të sinqertë jeni me fjalët që thoni  e në veprimet që bëni dhe se si e tregoni që lumturia e tyre është tepër e rëndësishme për ju.

6. Të dy ndiheni me fat.

Çelësi i një martese të fortë është që të dy ju të ndiheni njeriu më me fat që jeni pranë partnerit/es tuaj. Të njëjtën rëndësi ka dhe mendimi që partneri përballë jush mendon që është me fat që ju e doni atë.

7. Ju argëtoheni së bashku.

Duket e thjeshtë dhe ashtu është në fakt, të kaloni kohë argëtuese së bashku do të thotë të jeni rrugës së krijimit të një martese të shëndetshme. Nëse ju dhe partneri/ja juaj mund të çliroheni nga streset e ditës dhe të shijoni kohën që kaloni bashkë, qoftë duke parë një film apo duke ngrënë një darkë të thjeshtë, kjo do të thotë që marrëdhënia juaj është në hapat e duhur.

8. Kur keni lajme, partneri/ja juaj është personi i parë që ju vjen ndër mend.

Nëse keni lajme të mira për sa i përket një ngritjeje në detyrë apo lajme alarmante nga doktori juaj dhe partneri/ja juaj është personi i parë të cilit ja transmetoni këto lajme, martesa juaj është e shëndetshme. Përveç dashurisë që është tepër e rëndësishme në një marrëdhënie, miqësia që ju keni krijuar me njëri-tjetrin është ajo që përcakton bashkëpunimin mes jush.