/ NGA MyWedding Albania/ Këshilla për Dasmën/

Të qenit të fejuar do të thotë që do t’i kushtoni shumë kohë planifikimit të dasmës suaj, ku do të përfshini sa më shumë detaje të jetë e mundur. Gjithashtu, do ju duhet të planifikoni muajin tuaj të mjaltit.

Muaji i mjaltit vjen fill pas dasmës dhe është një festim i mëvonshëm i dashurisë suaj. Si i tillë, duhet të përfshijë darka romantike, shëtitje gjatë bregut të detit e shumë kohë së bashku. Nëse planifikoni një muaj mjalti në breg të detit në një ishull magjepsës, dijeni që kjo është mënyra më e mirë për t’u relaksuar pas streseve të dasmës.

Nëse kjo është zgjedhja juaj, atëherë bëni mirë t’i filloni përgatitjet që herët për t’u siguruar që do të përfitoni nga koha e mirë për të provuar të gjitha aktivitetet zbavitëse që ofrohen për ju. Më poshtë, kemi listuar për ju disa këshilla për të lehtësuar planifikimin e muajit tuaj të mjaltit.

1. Filloni përgatitjet që herët.

Nëse filloni të planifikoni dasmën herët, do ju duhet të planifikoni dhe muajin e mjaltit herët. Kjo ndodh sepse shumë destinacione pushimesh ofrojnë çmime të ndryshme për kohë të ndryshme gjatë vitit. Prandaj, nëse prenotoni gjatë stinës së dimrit mund të paguani më pak për pushimet në verë. Kjo do të sjellë një ndryshim të madh në buxhetin tuaj dhe në mënyrën e shijimit të muajit të mjaltit.

Disa njerëz preferojnë të nisen për në muajin e mjaltit disa javë pas dasmës, teksa disa të tjerë nisen menjëherë pas dasmës. Bisedoni me partnerin/en tuaj dhe vendosni se cila është dita që doni të filloni muajin e mjaltit dhe prenotoni në destinacionin tuaj të preferuar. Kështu, mund të filloni planifikimin që para gjashtë muajsh.

2. Mendoni për aktivitetet tuaja të preferuara.

Një nga elementët më të rëndësishëm të muajit të mjaltit janë aktivitetetet që do të bëni atje. Bazuar në shijet tuaja e të partnerit/es mund të bëni zgjedhjet e këtyre aktiviteteve dhe të shikoni se cilat destinacione jua ofrojnë më së miri ato.

Ndoshta ju dëshironi të eksploroni anën historike e arkeologjike të ishullit, ndërsa partneri/ja juaj preferon të shijojë diellin buzë detit. Mundohuni t’i përfshini të dyja këto aktivitete ndër të tjera në intenerarin e pushimeve tuaja.

3. Stina është shumë e rëndësishme.

Stina e vitit që do të zgjidhni për pushimet tuaja të muajit të mjaltit është elementi më i rëndësishëm i planifikimit. Për pushime në vende tropikale nuk sugjerohet të shkoni në stinën e dimrit pasi mund të bjerë shumë shi e dallgët të jenë shumë të larta, gjë që bën të vështirë notin e të pamundur marrjen e rrezeve. Stina e verës është perfekte për këto lloj pushimesh.

Do të ishte mirë të zgjidhnit stinën që bën të mundur plotësimin e të gjithë aktiviteteve tuaja të preferuara. Zakonisht, stina e duhur për të përfituar nga gjithçka që resortet e pushimeve ofrojnë për klientët e tyre është ajo e verës.

4. Sa kohë do të qëndroni?

Kjo është diçka që duhet konsideruar, sidomos kur ju dhe partneri/ja juaj kanë punë me orar të plotë. Ndoshta nuk do të keni kohë për ta shijuar muajin e mjaltit të plotë, por të pushoni vetëm për një a dy javë. Sigurohuni që të merrni aq ditë leje nga puna sa ju duhen për pushimet dhe ditët e udhëtimit.

Gjithashtu duhet të mendoni dhe për buxhetin që do ju nevojitet për këto pushime që të dini se sa para duhet të vendosni mënjanë gjatë muajve para tyre.

5. Mos harroni dokumentet e duhura.

Imagjinoni këtë: keni blerë biletat e avionit, keni bërë valixhet gati dhe po prisni të thërritet numri i fluturimit tuaj, por nuk keni vizën apo pasaportën e duhur për atë udhëtim. Gabime të tilla mund të kthejnë muajin e mjaltit në një muaj makthi.

Nëse do të udhëtoni në një shtet të huaj, sigurohuni që të përdorni një vizë dhe pasaportë akoma të vlefshme. Gjithashtu, nëse në pasaportën tuaj mbani akoma mbiemrin e fëmijërisë, mos aplikoni për vizë me mbiemrin e bashkëshortit.

Mundohuni të rinovoni pasaportën tuaj 3 muaj para udhëtimit. Kjo do t’ju sigurojë një muaj mjalti pa shqetësime të këtij lloji dhe diçka më pak për t’u stresuar gjatë planifikimit.