/ NGA MyWedding Albania/ Të Përgjithshme/

Traditat janë të mrekullueshme sepse mbajnë vlera të mëdha e një kuptim domethënës. Ato nuk janë aty për t’ju detyruar të bëni gjëra që nuk ju pëlqejnë apo që janë në kundërshtim me stilin që keni zgjedhur për dasmën tuaj. Nuk ju pëlqen fustani i bardhë? Zgjidhni një ngjyrë tjetër. Babai nuk mund t’ju shoqërojë drejt altarit? Vjen mamaja në ndihmë. Nuk doni ta hidhni buqetën tek vajzat beqare? Ashtu qoftë.

Tradita ekziston për disa arsye: supersticionet, prakticiteti, zakoni. Zbatimi i tyre mund të shihet si një akt respekti ndaj atyre që ju kanë ndihmuar gjatë periudhës së planifikimit dhe ndaj të gjithëve që kanë marrë mundimin të jenë pjesë e eventit më me rëndësi në jetën tuaj. Ja tek janë disa nga traditat që ja vlen të përfshini në dasmën tuaj.

1. Ftesa letre.

Edhe pse ftesat elektronike ofrojnë shumë opsione interesante, kur vjen puna tek ftesat e dasmës, elekronikja nuk mjafton. Ftesat prej letre kanë një përbëje që krijojnë një ndjesi krejt ndryshe nga ftesat elektronike. Gjithashtu, ato shërbejnë si një kujtesë fizike për dasmën e ardhshme, që mund të ngjiten në frigorifer, të vendosen në cep të pasqyrës apo t’i mbani në një vend të dukshëm. Ftesat shërbejnë edhe për të krijuar idenë se diçka e madhe do të ndodhë së shpejti, siç është dasma e një të afërmi. Kështu, kanë të drejtë nëse e teprojnë pak më emocionet dhe përgatitjet. Dhe do të kuptohet që kjo nuk është si çdo event a festë tjetër, por është celebrimi i dashurisë së dy personave.

2. Vizita me të ftuarit.

Një nga detyrat që keni gjatë dasmës është të falenderoni të ftuarit që kanë marrë pjesë në dasmën tuaj. Ky proces ndodh më së shumti në momentin kur mbaron ceremonia e kurorëzimit apo kur do të hyni në restorantin e dasmës. Këto janë dy momente kur mund të siguroheni që do të flisni me të gjithë të ftuarit e nuk do të harroni ndonjë. Kur të ftuarit janë duke pirë e duke kërcyer nuk është e garantuar që do të keni mundësinë t’i falenderoni të gjithë.

Një tjetër moment i dasmës që ju garanton që do të flisni me të gjithë është kur darka është servirur, por kjo do ju pengojë ju që ta shijoni atë. Dallim bëjnë rastet ku numri i të ftuarve nuk është shumë i madh, 70-80 të ftuar.

3. Prerja e tortës herët.

Prerja e tortës nuk është vetëm një veprim që tregon se ëmbëlsira është rrugës. Përkundrazi, ky akt indikon që të ftuarit mund të largohen nëse duan dhe nuk do të tregojnë pasjellshmëri. Nëse nuk doni të keni tortë në dasmën tuaj por një lloj tjetër ëmbëlsira, planifikoni ta prisni atë pak momente pas darkës. Në këtë mënyrë, të ftuarit më të moshuar apo prindërit me fëmijë mund të largohen më shpejt nga dasma. Fundja, të gjithë kanë probleme që shkojnë përtej dasmës suaj.

4. Dërgoni letra falenderimi.

Dërgimi i letrave të falenderimit drejt të ftuarve është një akt që tregon respekt ndaj tyre. Nëse keni qenë shumë të zënë me punët pas dasmës, kujtoni që këto letra duhet të dërgohen, të paktën deri 3 muaj pas muajit të mjaltit. Këto letra mund të përfshijnë mirënjohjen për pjesëmarrjen në dasmë, por kryesisht kjo bëhet për t’i falenderuar për dhuratën e tyre.

Aq e rëndësishme sa koha e dorëzimit të letrave është dhe prekja personale që duhet t’i jepet atyre. Këto letra duhet të jenë konkrete dhe unike për cdo të ftuar. Një letër e printuar dhe e firmosur nga çifti nuk jep të njëjtin falenderim si një letër e shkruar me dorë. Edhe pse disa shprehje mund të përsëriten nga letra në letër, ato duhet të shkruhen sikur po flisni drejtpërdrejtë me marrësin.

Së fundmi, jeni ju që vendosni se cilat tradita kanë më shumë rëndësi për ju. Dhe nëse disa tradita të vjetra nuk janë në stilin tuaj, mund të krijoni një të re që do të ndiqet nga pasardhësit tuaj ndër vite.