Si fillim, urime për të gjithë ju që sapo jeni fejuar dhe po kërkoni mënyrën më të mirë për ta festuar këtë. Tani që propozimi u bë, është koha për planifikimin e festës së fejesës suaj. Nuk dini se nga t’ja filloni? Mos u shqetësoni, mjafton të ndiqni këto 7 hapa të thjeshtë dhe do të jeni gati ta festoni këtë lajm me njerëzit më të afërt dhe më të dashur për ju.
1. Zgjidhni se kush do të jetë pritësi.
Zakonisht, festat e tilla priten nga prindërit e njërës palë. Por, kohët e fundit, kushdo qoftë i afërt me çiftin mund të marrë përsipër organizimin e festës. Gjithashtu, është normale që të organizohen dy festa fejese apo të dy palët e prindërve të bashkohen për të organizuar një festë akoma më të madhe. Dy festa mund të jenë akoma më të pranueshme nëse çifti jeton në qytete të ndryshme nga familja apo nëse duan dy festa me dy stile të ndryshme. Për shembull, ju doni që të festoni me familjet tuaja me një stil klasik dhe të thjeshtë, ndërsa me shoqërinë doni që të organizoni një festë moderne. Ajo që duhet të dihet nga pala pritëse është se do të jenë ata që do të dërgojnë ftesat e të paguajnë shpenzimet.
2. Vendosni datën më të përshtatshme.
Në varësi të gjatësisë së fejesës suaj, mund ta organizoni këtë festë që pak javë pas propozimit apo dhe disa muaj më vonë. Ndoshta mund të mendoni që një festë intime me familjet tuaja, fundjavën pas propozimit është mënyra perfekte për të thënë lajmin e madh e për ta festuar atë. Por, do të ishte mirë që të prisnit të paktën një muaj për këtë. Kështu, do të mësoheni më shumë me idenë që do të martoheni së shpejti dhe do të jeni në gjendje të mendoni më mirë mbi listën e të ftuarve, vendin që do të zgjidhni dhe stilin që do të përdorni.
3. Vendosni mbi buxhetin.
Detajet mbi buxhetin nuk janë të vlefshme vetëm për dasmën, por dhe për çdo festë që do ju duhet të organizoni. Nëse jeni në gjendje të caktoni mbi buxhetin që do të përdorni, do ta keni më të lehtë të vendosni vendin që do të zgjidhni dhe listën e personave të ftuar në atë festë. Gjithashtu, do të jetë një eksperiencë më tepër që do ju ndihmojë në planifikimin e dasmës suaj.
4. Bëni gati listën e të ftuarve.
Kur bie fjala tek festa e fejesës nuk ka rregulla, përveç këtij: të ftuarit në festën e fejesës duhet të jenë të ftuar edhe në dasmë. Gjithashtu, duhet të bëni njëherë gati listën e dasmës e më pas asaj të festës së fejesës. Nuk mund të keni menduar për një dasmë intime prej 50 vetash dhe të ftoni 100 veta në festën e fejesës. Prandaj, tregoni kujdes në këtë pjesë që të mos krijoni zemërime mes të ftuarve më vonë.
5. Zgjidhni menunë.
Edhe pse nuk jeni të detyruar të shtroni një drekë apo darkë dhe tre pjata në festën e fejesës, do ju duhet të keni diçka për të ngrënë apo pirë. Nëse nuk doni që festa juaj të jetë në orar dreke apo darke, mund të përfshini në menunë e festës së fejesës antipasta të vogla apo dhe thjesht ëmbëlsira.
6. Mendoni mbi dekorin.
Jepini pak kohë të veçantë zgjdhjes së dekorit të festës, por jo një kohë të zgjatur shumë. Zgjidhni mbi dyqanin ku do të blini lulet, mbulesat e tavolinave, dritat e shumë gjërat të tjera. Ky është një moment i mirë për të provuar dorën tuaj me disa zbukurime të vogla e të personalizuara.
7. Zgjidhni veshjen e duhur.
Si festa e parë e çiftit si të sapo-fejuar, veshjet duhet të jenë më të veçanta se zakonisht. Përsa i përket nuses së ardhshme, një fustan i thjeshtë që nuk është shumë i ngarkuar do të ishte perfekt, ndërsa për dhëndrin, nuk është detyrim të vishet me kostum dhe karvatë, por një veshje që përshtatet me stilin e nuses.