/ NGA MyWedding Albania/ Të Përgjithshme/

Të qenurit e fejuar është një ndjenjë e mrekullueshme. I fejuari juaj sapo ju ka propozuar dhe ju thatë “po”. Sidoqoftë, planifikimi i dasmës nuk është dhe aq i lehtë. Ka dhjetra punë të ndryshme që duken si të parëndësishme, por mund të sjellin të papritura më vonë. Ja disa nga gjërat që duhet të përgatiteni të përjetoni gjatë planifikimit të dasmës suaj.

1. Do ju duhet të mendoni dhe për të tjerët.

Ndoshta ju doni ta bëni dasmën në restorantin më të shtrenjtë në Paris, por shumica e të ftuarve mund të mos kenë mundësi të vijnë deri atje. Planifikimi i dasmës duhet të jetë në koordinim me mundësitë që të ftuarit kanë dhe kjo nuk është shumë e lehtë. Bashkëshortët e ardhshëm duhet të mendojnë dhe për kostot e të ftuarve në momentin që do të zgjedhin vendin e ceremonisë apo restorantin.

2. Mamaja juaj mund të krijojë dramë.

Është diçka shumë e mirë kur prindërit ofrohen të paguajnë për dasmën tuaj. Por, në shumicën e rasteve, mamaja juaj mund të jetë shumë e përfshirë në zgjedhjet që do të bëni. Bëhuni gati për debate të shumta për ngjyrën e luleve, llojin e fustanit e shumë të tjera. Por, fokusohuni tek gjëja më e rëndësishme, po martoheni me dashurinë e jetës suaj.

3. Do të keni zënka me të fejuarin.

Planifikimi i dasmës sjell dhe shumë strese, së bashku me emocione. Nuk do të bini dakord me gjithçka, prandaj pranoni faktin që herë-herë do të ketë debate e zënka të vogla. Kujtojini vetes dhe partnerit tuaj se nuk ja vlen të debatoni për gjëra të vogla. Komunikimi i duhur është çelësi në cdo marrëdhënie.

4. Paratë do të jenë një problem. 

Çështja e parave do të shkaktojë shumë stres tek ju. Pasi të kuptoni koston e gjithçkaje mund të panikoheni pak. Çmimet në industrinë e dasmave janë goxha të larta, prandaj duhet të bëni zgjedhjet e duhura.

5. Do të ketë kosto të fshehura kudo.

Askush nuk ju lajmëron për kostot ekstra gjatë planifikimit të dasmës, por ato ekzistojnë. A e dinit që të gjithë ata që janë prezent në dasmën tuaj duhet të kenë një pjatë nga menuja? Këtu futen dhe këngëtarët, kameramanët, parukierët, etj. Prandaj, merreni këtë parasysh para se të zgjidhni menunë dhe elementë të tjerë të këtij lloji.

6. Mund të mos keni para për të gjitha ato që doni.

Shumë çifte të reja e kanë buxhetin e limituar dhe nuk mund të harxhojnë para në gjëra të parëndësishme. Nëse jeni dhe ju pjesë e këtyre cifteve, fokusohuni vetëm në detajet më të rëndësishme dhe që do të mbahen mend nga të ftuarit dhe nga vetë ju.

7. I fejuari juaj mund të jetë dramatik.

Ndonjëherë, meshkujt duan të bëhen pjesë aktive e planifikimit të dasmës. Në këto raste, ai mund të duket shumë kërkues dhe perfeksionist. Por, nuk keni pse shqetësoheni për këtë pjesë, ai thjesht mezi po e pret dasmën dhe dëshiron që çdo gjë të jetë perfekte.

8. Të gjithë do të kenë një opinion.

Sa më shumë njerëz ta dinë për dasmën tuaj, aq më shumë opinione do të ketë. Secili do të mendojë se e di zgjedhjen më të mirë dhe do të jeni të mbushur me informacione nga më të shumtat. Mos harroni që kjo është dita juaj dhe zgjedhjet janë për t’u bërë vetëm nga ju dhe partneri juaj.

9. Furnizuesit tuaj të preferuar mund të mos jenë të lirë.

Planifikuesit e dasmave, fotografët, orkestrat dhe parukierët prenotohen që gjysmë viti më parë. Prandaj, nëse do të martoheni në një sezon të mbushur me dasma, si ai i verës, ka shumë mundësi që ofruesit e shërbimeve të mësipërme të jenë të prenotuar. Por, mos u shqetësoni. Industria e dasmave është e mbushur me njerëz të talentuar dhe nëse zgjedhja juaj e parë nuk është e lirë, e dyta do të jetë.