Si në çdo event tjetër, dhe në dasmën tuaj mund të ketë të ftuar të cilët mund të shkaktojnë pakënaqësi tek ju. Jo të gjithë janë familjarë me mënyrën se si ju doni që gjërat të funksionojnë, prandaj disa prej tyre mund të veprojnë në mënyrë të kundërt me atë që ju kishit menduar. Por, çfarë ndodh kur kjo gjë bëhet realitet? Sigurisht që nuk është shumë e hijshme të kritikosh dikë publikisht, por ndonjëherë situata bëhet e tillë ku kërkohet një veprim i menjëhershëm.
Kodi i veshjes.
Jo të gjithë mund të jenë në një mendje përsa i përket stileve të ndryshme që ju mund të vendosni të zgjidhni për dasmën tuaj. Për të shmangur keqkuptime, sigurohuni që stili që do të paraqisni në ftesën tuaj të jetë një shpjegues i mirë dhe i thjeshtë për stilin që prisni që të ftuarit të kenë në dasmën tuaj.
Së dyti, mund të përmendni dhe detaje të tjera, por do të ishte mirë që këto t’i shtonit në fund të ftesës me shkronja të vogla. Për shembull, nëse keni vendosur që ceremonia do të zhvillohet në një kopësht të bukur mund të lini një shënim për të ftuarat femra që të mos veshin taka të larta. Apo nëse dasma juaj do të zhvillohet në breg të detit, mund të shënoni që të gjithë të marrin një palë shapka me vete për gjatë ceremonisë.
Së treti, në vend se të shpreheni me tituj përsa i përket stileve, mund të jepni shembuj si: femrat të veshin një fustan të shkurtër me një ngjyrë të errët apo meshkujt të jenë të veshur më kostum dhe kollare. Kjo është një mënyrë e thjeshtë se si të ftuarit të mos keqkuptohen përsa i përket stileve të kërkuara në dasmën tuaj.
Mos ardhja në dasmë.
Ka shumë të ftuar, të cilët edhe pse e konfirmojnë ardhjen e tyre në dasmë, nuk vijnë. Sigurisht që arsyet e tyre mund të jenë të rëndësishme, por dëmi shkaktohet gjithsesi. E njëjta gjë ndodh edhe kur një i ftuar merr një shoqërues/e të paftuar në dasmë. Kjo është një detyrë për të cilën nuk duhet të shqetësoheni ju. Ajo që duhet të bëni është t’i kërkoni një prej shoqërueseve tuaja të flasë me organizuesit. Më pas, ata do të kujdesen për karriget që duhet të shtohen apo të hiqen në mënyrë që të tjerët të mos shqetësohen nga rrëmuja.
Entuziazmi i tepërt.
Sigurisht që dasmat janë evente ku buzëqeshjet dhe entuziazmi nuk kanë fund. Ndonjëherë ndodh që entuziazmi i tepërt i një të ftuari kalon dhe tek ju dhe mund të bëhet i lodhshëm pas një farë kohe. Kjo mund të ndodhë kryesisht gjatë kohës së përshëndetjes së parë me të ftuarit. Do të jetë gjithmonë një i ftuar që do të kërkojë më shumë kohë se sa ju mund t’i ofroni. Një zgjidhje e mirë është ta prezantoni me një të ftuar tjetër, në mënyrë që të njihen me njëri-tjetrin. Nëse ky opsion nuk ju pëlqen, atëherë mund të tregoheni të sinqertë me ta dhe t’u thoni që është detyra juaj që të flisni me të gjithë të ftuarit dhe koha është e limituar. Të jeni të sigurtë që ata do ju kuptojnë pasi të sapomartuarit janë gjithmonë tepër të zënë gjatë dasmës së tyre.
Ndërrimi i vendeve.
Caktimi i të ftuarve në tavolina është një planifikim i vështirë dhe i rëndësishëm. Por megjithatë ka gjithmonë të ftuar që do të donin të shkëmbenin vendin e tyre me dikë tjetër. Disa duan të jenë afër me ndonjë mikun e tyre të vjetër, disa të tjerë përpiqen të shmangin marrëdhëniet a komunikimin me persona të padëshiruar për ta. Arsyet mund të jenë nga më të ndryshmet. Në qoftë se ndryshimi nuk përfshin tavolinat e njerëzve tuaj më të dashur, pra tavolinat kryesore, mund të bëni një sy qorr. Të gjithë të ftuarit duhet t’i respektojnë vendimet tuaja, por kjo është një çështje pa ndonjë rëndësi të madhe për të marrë vëmendje maksimale nga çifti.
Nëse ndonjë i ftuar kërkon të ulet në tavolinat kryesore, për shembull: në tavolinën e prindërve të tu, mund t’i kërkoni me mirësjellje që të ulet në vendin që ju keni caktuar për të dhe t’i tregoni që ai vend i përket dikujt tjetër. Këtë sqarim mund ta lini dhe në dorën e vëllait, motrës ose njërës prej shoqëruese tuaja.
