Planifikimi i dasmës mund të jetë një nga detyrat më të vështira për një femër në ditën e sotme. Ju dhe njerëzit tuaj më të afërt do të paguani miliona para për një event që edhe pse do të zgjasë vetëm disa orë, do të jetojë përgjithmonë në foto, video dhe në kujtesën tuaj. Është normale që të doni gjithçka të jetë perfekte, që nga lulet e deri tek kërcimet dhe sigurisht, paraqitja juaj. Por, stresi i planifikimit të kësaj dite mund t’ju shndërrojë në një nuse të irrituar dhe të papërmbajtshme.
Karakteristikat e një nuseje të tillë janë:
- Tepër e stresuar, nuk fle mjaftueshëm.
- Perfeksioniste, duket e pamundur për t’u kënaqur.
- E fiksuar me çdo detaj të dasmës.
- Shumë e shqetësuar për gjerat më të vogla.
Por, nuk keni pse të jeni dhe ju një nuse e tillë. Ja tek keni 8 këshilla si t’i shpëtoni këtij fenomeni.
1. Mos harroni që është dita juaj.
Dhe e askujt tjetër. Mos hamendësoni që dasma është prioritet për të gjithë njerëzit tuaj të afërm, ashtu siç është për ju. Pranojeni faktin që jo të gjithë do të ndalojnë jetën e tyre për dasmën dhe as ju nuk duhet të prisni diçka të tillë nga ta.
2. Investoni në një planifikues dasmash.
Bisedat e shumta me DJ, dyqane lulesh, restorante e shërbime të tjera dasmore mund të jenë tepër të lodhshme. Gjithashtu, mund të heqë një sasi të emocioneve të dasmës për nusen. Punësimi i një profesionisti/eje për këtë punë është një zgjidhje perfekte. Kështu, do të keni një specialist/e që do të kujdeset për të gjitha detajet e dasmës suaj dhe do ta bëjë këtë punë më së miri.
3. Punoni sipas një buxheti të menaxhueshëm.
Krijoni një buxhet fiks dhe qëndroni sipas tij deri në fund të dasmës. Mos shpenzoni më tepër seç keni sepse ky është një nga shkaktarët më të mëdhenj të stresit të dasmës. Gjithashtu, e rëndësishme është të keni në mendje që nuk duhet ta filloni martesën tuaj me borxhe.
4. Mundohuni të përshtateni me ndryshimet.
Duhet të pranoni faktin që jo të gjithë mund të jenë aty për ju, kurdo që të keni nevojë për to gjatë dasmës. Prandaj, krijoni një plan rezervë nëse dikush nga shoqërueset e nuses apo shoqëruesit e dhëndrit nuk mund të plotësojë dot detyrat që keni caktuar. Gjithashtu, krijoni marrëveshje me shitësit e shërbimeve dhe qëndroni fleksibël ndaj listës së të ftuarve.
5. Pushoni pak.
Edhe pse dasma mund të jetë prioriteti numër 1 për momentin, mos ja kushtoni të gjithë vëmendjen planifikimit të saj. Bini dakord paraprakisht që do të merreni me të vetëm 2 ose 3 ditë në javë dhe në ditët e tjera bëni diçka për shëndetin tuaj mendor dhe fizik.
6. Pranoni faktin që gjërat mund të shkojnë keq.
Në jetë, shumë gjëra nuk shkojnë ashtu siç i kemi planifikuar. Mund të bjerë shi kur ju doni të jetë diell, një nga shoqërueset mund të ndrydhë këmbën një ditë para dasmës, DJ mund të dehet, etj. Por, për aq kohë sa jeni në rregull me faktin që gjërat nuk mund të jetë gjithmonë perfekte, do ja dilni mbanë. Fundja, dasma është një ditë që duhet shijuar nga nusja dhe dhëndri e nëse kjo arrihet, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar.
7. Ushqehuni shëndetshëm.
Sigurohuni që të merrni të gjithë nutrientët e duhur për të përballuar me sukses detyrat që do ju dalin nga planifikimi i dasmës. Gjithashtu, duhet të flini mjaftueshëm pasi nuk do të donit të nisnit cdo ditë me rrathë të zi nën sy. Kështu, kjo do ju ndihmojë të ndiheni më mirë me veten tuaj.
8. Vendosni që do të kënaqeni.
Kur të hapni sytë ditën e dasmës, vendosni që ajo ditë do të jetë vetëm për kënaqësinë tuaj. Pas shumë vitesh nuk do të kujtoni të gjitha detajet e vogla, por do të kujtoni mënyrën se si jeni ndjerë atë ditë.