Që në momentin që të keni vendosur se do t’i propozoni dashurisë së jetës suaj është normale që të ndiheni të gëzuar dhe nervozë. Në fund të fundit, ky është një moment që do të kujtoni dhe do ta tregoni shumë herë, gjatë gjithë jetës. Por, duhet të dini një gjë: nuk ka pse të jetë perfekte. Gjithsesi, mos lejoni që nervoziteti i asaj ditë, t’ju shtyjë të bëni disa nga këto gabime që rëndom ndodhin në propozimet për martesë.
1. Propozimi me duart bosh.
Në një studim të kohëve të fundit është ardhur në përfundim që gabimi numër 1 që mund të bëhet gjatë propozimit është ta bësh atë me duart bosh. Sigurisht, shprehja juaj e dashurisë është faktori kryesor në propozimin për martesë, por për shumë femra, fejesa nuk quhet e tillë nëse nuk kanë një unazë për të treguar. Nëse nuk jeni të sigurtë mbi llojin e unazës apo mbi sasinë monetare që duhet të harxhoni mbi të, provoni të merrni mendimin e të afërmve apo të përdorni një unazë që ka kaluar breza në familjen tuaj. Një tjetër këshillë që ju jepet është që të jeni bashkë më të dashurën kur të dilni për të parë unaza. Nëse nuk doni që propozimi juaj për martesë të jetë një surprizë totale, atëherë mund t’ju themi që kjo mënyrë është tepër e përhapur në fejesën e çifteve të reja.
2. Propozimi më shpejt se ç’duhet.
E dashura juaj i ka të gjitha, është e bukur, e zgjuar dhe i pëlqen të kalojë kohë me ju. Por, kjo nuk është arsye që ju të propozoni menjëherë. Ju nuk do të jeni në gjendje të propozoni për martesë derisa të keni kaluar disa sfida në marrëdhënien tuaj, të keni përjetuar të gjitha gjendjet emocionale të njëri-tjetrit dhe të keni marrë shenja që dhe pala tjetër e do një propozim të tillë. Nëse propozoni më herët seç duhet, ajo mund të mos jetë gati dhe përgjigja e saj mund të mos jetë ajo që prisnit.
3. Propozimi në sy të të tjerëve.
Ndoshta ju dëshironi që propozimi ndaj femrës që doni të bëhet gruaja juaj të jetë diçka që duhet të merret vesh nga të gjithë, por në shumicën e rasteve, femrat duan që momenti i propozimit për martesë të jetë një eksperiencë intime, vetëm mes jush. Shumë femra pranojnë që një ndër gabimet që meshkujt bëjnë është propozimi para një audience. (As mos e mendoni t’i propozoni të dashurës suaj në stadiumin ku u njohët, në vendin ku dhatë puthjen e parë apo në restorantin ku i shprehët dashurinë tuaj.) Ajo nuk do të jetë në gjendje ta shijojë momentin nëse sytë e të gjithëve janë mbi të dhe përgjigjen që ajo do të japë. Nëse pas propozimit keni marrë një përgjigje pozitive nga e dashura juaj, koha që duhet të kaloni më pas duhet të jetë vetëm e juaja. Dhe kjo nuk mund të ndodhë nëse do të keni rrotull njerëz për t’ju përgëzuar. Por, jo të gjitha vendet publike janë të ndaluara, 58% të njerëzve thonë që vendi i takimit të parë është perfekt për të propozuar për martesë.
4. Të tregoni planin e propozimit para se ta ai të ndodhë.
T’i tregoni të afërmve mbi planin e propozimit (apo dhe vetë personit që do t’i propozoni) është diçka që nuk duhet të bëni. Ndoshta mendoni se nëse i thoni shokut të ngushtë apo motrës suaj, e vërteta nuk do të dalë në shesh, por gjithmonë ndodh. Dhe ndoshta e dashura juaj nuk do të ndjente të njëjtin emocion gjatë propozimit nëse do ta dinte planin. Gjithashtu, nuk do të ndihet aq mirë nëse merr vesh që të gjithë e dinin mbi propozimin që ju do të bënit kur t’u tregojë unazën e dhuruar.
5. Propozimi në momentin e gabuar.
Nëse jeni si shumica e meshkujve, sapo të keni marrë vendimin për të propozuar, do të doni ta bëni sa më shpejt të jetë e mundur. Dhe do të doni që unaza që ruani diku të jetë menjëherë në gishtin e të dashurës suaj. Por, do të ishte mirë të prisnit momentin e duhur për këtë. Momenti i propozimit do të jetë një histori që do ta tregoni për shumë kohë dhe do të pëlqeni që të ishte sa më i paharrueshëm.