/ NGA MyWedding Albania/ Të Përgjithshme/

Ditët e fundit të vitit janë një periudhë e mbushur me përgatitje dhe festime me familjen dhe shoqërinë. Ndonjëherë ndodh që fokusohemi aq shumë tek festat, saqë harrojmë të lëmë pak hapësirë për partnerin/en tonë. Me shumë mundësi, ju do të shkëmbeni dhurata me njëri-tjetrin ditën e Krishtlindjeve apo ditën e Vitit të Ri, prandaj ja tek keni disa mënyra se si t’i kaloni 11 ditët e pushimeve me partnerin/en tuaj, pa kosto shtesë.

Dita 1: Dita e Krishtlindjeve

Pasi keni hapur dhuratat tuaja, keni ngrënë darkën e Krishtlindjeve është koha të bëni diçka me partnerin/en tuaj. Sigurisht që në këtë periudhë vëmendjen e kemi tek traditat që kemi ndjekur gjithmonë, por është koha që të krijojmë dhe ne traditat tona të reja. Kështu, mund të vendosni të frekuentoni restorantin tuaj të preferuar, të luani ndonjë lojë apo të bëni disa foto para pemës së festave. Mjafton të krijoni një traditë tuajën që do ju ndjekë dhe për vitet në vazhdim.

Dita 2: 26 Dhjetor

Pas Krishtlindjeve vjen një ditë e lodhshme. Ndoshta organizimi i darkës, gjetja e dhuratave ju kanë lodhur, prandaj ju duhet një ditë ku qendra e vëmendjes të jetë qetësia juaj dhe e partnerit/es tuaj. Këtë ditë mund ta kaloni duke shkuar në një spa, sauna apo thjesht t’i bëni një masazh njëri-tjetrin teksa qëndroni në shtëpi. Mund të vendosni një muzikë të qetë në sfond dhe të shijoni shoqërinë e njëri-tjetrit.

Dita 3: 27 Dhjetor

Nëse keni kërkuar gjithmonë për mënyrën se si ta bëni partnerin/en tuaj të ndihet i/e vlerësuar, atëherë kjo është periudha e duhur. Kalojini këto ditë duke mësuar më shumë mbi gjërat për të cilat partneri/ja juaj tregon interes. Më pas kur të jetë koha e duhur mund t’i surprizoni me ato që keni mësuar. Të jeni të sigurtë që ata do të gëzohen tej mase që ju jeni përpjekur të futeni më në brendësi të gjërave që u pëlqejnë atyre.

Dita 4: 28 Dhjetor

Kjo është dita e argëtimit. Zgjidhni një lojë që e pëlqeni të dy dhe bëhuni gati të luani. Mund të jetë një lojë me letra, një luftë me jastëkë apo me armë lodër. Ajo që ka rëndësi është të argëtoheni dhe të sfidoni njëri-tjetrin.

Dita 5: 29 Dhjetor

Kanë kaluar disa ditë nga darka e Krishtlindjeve, prandaj shpresojmë që të mos keni më ushqime të mbetura. Në këtë ditë, mund të surprizoni partnerin/en tuaj me një gatimin special. Nëse doni ta bëni akoma më speciale këtë ditë, mund të krijoni një menu ku mund të zgjidhni nga ushqimet më të mira që dini të gatuani.

Dita 6: 30 Dhjetor

Po i afrohemi ditës së fundit të vitit. Një ide mjaft e mirë për këtë ditë do të ishte sikur t’i kujtonit partnerit/es suaj se sa vlejnë për ju. Tregojuni se si e kanë bërë këtë vit më të bukur për ju dhe se sa prisni nga viti i ardhshëm. Zbrazeni zemrën dhe mendjen në një copë letër dhe dedikojani atyre.

Dita 7: 31 Dhjetor

Gëzuar Vitin e Ri! Kjo natë do të jetë shumë e lodhshme. Prandaj gjatë ditës duhet të mblidhni energjitë e duhura për të. Ajo që mund të bëni është të organizoni një piknik të vogël me partnerin/en tuaj në parkun më të afërt apo në kopshtin tuaj.

Dita 8: 1 Janar

Kjo është dita e parë e një viti të ri. Mos u përpiqni të sillni në mendje gjërat që mund të kishit bërë ndryshe vitin e kaluar, por filloni të caktoni qëllime të reja për këtë vit. Krahas atyre që doni të arrini si individ, krijoni dhe qëllime të përbashkëta me partnerin/en tuaj. Kështu, jo vetëm do të punoni së bashku për një qëllim të vetëm, por do të keni diçka ku të fokusoheni në ditët tuaja të këqija.

Dita 9: 2 Janar

Shumë njerëz në këtë ditë kthehen në punë, prandaj ajo që duhet të bëni është ta trajtoni mirë njëri-tjetrin kur të ktheheni nga puna. Zgjidhni një film të bukur, porosisni një picë nga jashtë dhe shtrihuni pranë njëri-tjetrit. Kjo do ta bëjë ditën e lodhshme të punës lehtësisht të harrueshme.

Dita 10: 3 Janar

Ajo që u pëlqen të gjithëve nga dimri janë netët e gjata. Dilni në një shëtitje gjatë perëndimit të diellit, në mënyrë që të shijoni ngjyrën e bukur portokalli në një ditë të ftohtë dimri. Aq më mirë, do të jeni në shoqërinë e personit më të dashur për ju.

Dita 11: 4 Janar

Merrni batanijen tuaj të ngrohtë, përgatisni disa kokoshka dhe shikoni së bashku një emision apo filmin tuaj të preferuar. Akoma më mirë, nëse koha është me shi jashtë, do të mund të dëgjoni se si pikat e shiut prekin tarracën tuaj teksa jeni në shoqërinë e partnerit/es. Ose mund të organizoni një aktivitet të vogël në shtëpinë tuaj për tu argëtuar. Vetëm se nuk jeni më fëmijë nuk do të thotë që nuk do të keni mundësi për t’u argëtuar.