/ NGA MyWedding Albania/ Të Përgjithshme/

Titulli i “shoqërueses së nuses” vjen me shumë përgjegjësi. Për t’ju ndihmuar, kemi përpiluar 7 mënyra të sjelljes që do ju bëjnë një shoqëruese të paharrueshme.

1. Bëhuni krahu i qetësisë për nusen.

Organizimi i një dasme mund të jetë një ndër eksperiencat më të bukura për nusen e ardhshme, por mund të jetë dhe shumë stresues. Duke qenë se ju jeni shoqëruesja e saj, dmth që jeni dikush tepër i afërt dhe i rëndësishëm për të. Kjo do të thotë që ju duhet të jeni afër saj për çdo shqetësim që ajo mund të ketë. Flisni me të dhe jepini këshilla se si mund ta përmirësojë një situatë stresuese.

2. Merrni pjesë në sa më shumë evente para-martesore.

Duhet të jemi të sinqertë kur themi se shpesh herë nuk është e mundur të marrësh pjesë në të gjitha këto evente. Por, në sa më shumë të tilla të shkoni, aq më shumë mirënjohje do merrni nga nusja. Për shembull: pazari për fustanin, provat për të, zgjedhja e menusë së dasmës, festa e beqarisë, janë disa nga eventet që si një shoqëruese e mirë, nuk duhet t’i humbisni. Nuk e keni idenë se sa do ta lumturoni nusen me pjesëmarrjen tuaj.

3. Festa e beqarisë duhet të jetë vetëm për të.

Një nga detyrat më të vështira për një shoqëruese nuseje është të organizojë një festë beqarie të paharrueshme. Gjëja që duhet të mbani në mendje është stili i kësaj feste. Duke qenë të afërta me nusen, duhet ta dini se cilat gjëra asaj i pëlqejnë e cilat jo. Në bazë të kësaj, filloni e bëni të gjitha organizimet e nevojshme. Në fund të fundit, është festa e saj.

4. Bëhuni një drejtuese e mirë.

Si shoqëruesja e nderit për nusen është e drejta dhe detyra juaj të jeni lider për shoqërueset e tjera. Nëse ndonjëra do të ketë pyetje për rolin e saj në këtë dasmë, bën mirë që të konsultohet me ju në fillim. Nuk do të donit që ato të shtojnë gjëra në organizimin e dasmës pa miratimin tuaj apo edhe të nuses.

5. Sigurohuni që nusja të jetë e lumtur dhe jo e stresuar.

Sa më shumë të afrojë dasma, aq më shumë nusja do të ndihet e stresuar. Detyra juaj është që ta hiqni këtë stres dhe ta bëni të fokusohet tek pozitivizmi i ditëve në vazhdim. Disa nga aktivitetet që mund ta ulin këtë stres janë: shikimi i filmave romantikë bashkë, mund të kaloni një natë jashtë duke kërcyer, mund të bëni thonjtë apo flokët dhe të bëni plane pas-martesore. Me shumë mundësi, nusja do të ndihet tepër e lehtësuar dhe gjithashtu do të dijë që ka dikë që po e ndihmon në çdo hap.

6. Bëhuni një pikë kontakti për të ftuarit.

Në ditën e dasmës, të sapomartuarit do të jenë të zënë duke festuar dashurinë e tyre dhe duke shijuar këtë ditë. Prandaj, duhet të jeni ju ato që do të prisni kritikat për ushqimin, pyetje të tipit “ku është banjo?”, apo kërkesa muzikore. Kjo duhet bërë në mënyrë që të mos shqetësohet çifti i sapomartuar. Nëse do të keni vështirësi në kryerjen e kësaj detyre, bëni mirë të kërkoni ndihmën e shoqërueseve të tjera apo të shoqëruesve të dhëndrit.

7. Bëni qejf.

Nusja jua ka dhënë këtë titull pasi ajo ju vlerëson dhe mendon se ju jeni të afta për këtë detyrë. Përveç ndihmës që ajo duhet të marrë, ajo duhet gjithashtu të dijë se ju po kënaqeni me këtë rol. Këtë mund ta tregoni duke buzëqeshur vazhdimisht dhe duke e shijuar dasmën në maksimum.