Ushqehuni shëndetshëm, ushtrohuni më shumë, e shumë të tjera. Në këtë periudhë të vitit, kudo që klikoni do të gjeni arritje që të gjithë duan t’i plotësojnë deri në fund të vitit. Në shumicën e rasteve është shumë mirë që kjo të realizohet, por shumë prej tyre janë personale dhe për arritje individuale.
Pse të mos fillojmë të mendojmë se çfarë mund të arrihet deri në fund të vitit si çift? Ju mund t’i zgjidhni këto arritje në bazë të problemeve të vogla apo keqkuptimeve që mund të keni në çift. Por, janë disa pika të veçanta që gjithësecili prej jush duhet të konsiderojë si primare. Gjatë realizimit të tyre do të ndiheni më të plotësuar në jetën tuaj private dhe sigurisht më të afërt me njëri-tjetrin.
1. Më shumë shikime në sy.
“Sytë janë pasqyra e shpirtit.” Kjo shprehje na ka ndjekur gjithë jetën dhe jemi përpjekur ta zbulojmë këtë në çdo fushë të jetës sonë. Por, e keni vënë re që shpeshherë shikimet në sy janë të shpejta dhe jo të fokusuara? Jemi shumë të zënë me gjithçka që ndodh në jetën tonë, saqë ndonjëherë nuk i kushtojmë rëndësi këtij detaji. Pse të mos jetë viti 2019, viti kur ju të filloni të bëni çdo bisedë, sado e thjeshtë të jetë, duke u parë në sy me partnerin/en tuaj? Në këtë mënyrë, do të jetë më e thjeshtë për ju të shikoni gjendjen emocionale të atij që keni përballë dhe do të ndiheni më të afërt me ta.
2. Më shumë kohë bashkë.
Nëse ju duket se kjo nuk është shumë e mundur për shkak të axhendës së zënë që ju keni, kjo do të thotë që do ju duhet të punoni më shumë për këtë pikë. Ndoshta mund të rimendoni dhe njëherë se çfarë ju kuptoni me “të kaluarit kohë bashkë”. Këtu nuk përfshihet vetëm e dalura për një darkë luksoze në një restorant të qytetit, por vlerësimi i kohës që do të kaloni së bashku. Në kohën e caktuar për njëri-tjetrin mund të shikoni një film, të gatuani për njëri-tjetrin, të dilni një shëtitje pasdite apo të rikrijoni një nga takimet tuaja të para. Edhe nëse keni pak kohë së bashku apo keni vite të martuar, është gjithmonë e rëndësishme të kaloni kohë bashkë, pak rëndësi ka se si kalohet kjo kohë.
3. Largohuni më shumë nga telefonat.
Në ditët e sotme, telefonat tanë janë një pjesë jetësore për ne. Por, shpeshherë kjo ndikon me marrëdhëniet që kemi me të tjerët. Ka momente tek e kapim veten duke parë foto dhe video në Instagram, ndërkohë që jemi ulur për darkë apo po kalojmë kohë me partnerin/en tonë. Të gjithë jemi fajtorë për këtë, por nuk do të thotë që kjo nuk mund të ndryshojë. Vendoseni që gjatë ngrënjes apo ku jeni shtrirë në krevat, elektroniket nuk lejohen. Sido që ta organizoni këtë orar, sa më pak kohë të kaloni para telefonit tuaj, aq më e mirë do të jetë marrëdhënia juaj në çift.
4. Vendosni qëllime dhe punoni për t’i arritur ato.
Nuk keni pse të punoni për të qenë çifti i vitit, mjafton t’i vendosni vetes disa qëllime që duhen plotësuar deri në fund të vitit. Këtu mund të përfshini kursimin për pushimet e ëndrrave, të frekuentoni palestrën të dy bashkë apo të gatuani për njëri-tjetrin të paktën njëherë në javë. Sado të vogla të jenë këto qëllime, ajo që ka rëndësi është se ju do të punoni bashkë për t’i arritur ato dhe do të ndiheni krenarë në fund.
5. Kthehuni në femijëri.
Jetesa e të rriturve është shumë monotone. Me shumë mundësi, vetja juaj 15 vjeçare nuk e kishte menduar kështu të ardhmen, mes punës, faturave dhe detyrimeve shoqërore. Pse të mos e ringjallni atë ndjenjën fëmijërore dhe plot hare? Gjeni kohë gjatë vitit për t’u sjellë si fëmijë, pa shqetësime dhe të mbushur me gëzim. Kjo mënyrë e të sjellurit mund të ngjallë një pasion dhe sens humori të ri në lidhjen tuaj. Herën tjetër kur të kaloni afër një parku, ndaloni dhe luani tek lisharset. Kujt nuk do t’i pëlqente kjo?