Për të dashuruarit që sapo janë fejuar kanë shumë gjëra për të cilat duhet të mendojnë. Për t’ju ardhur në ndihmë, ne ju kemi listuar disa nga gjërat më të rëndësishme që duhet të bëni pasi të fejoheni.
1. Lajmëroni shoqërinë dhe familjen.
Për ata që sapo fejohen është pak e vështirë ta mbajnë për vete lajmin e lumtur. Brenda tre ditëve duhet të siguroheni që familja dhe shoqëria e kanë marrë vesh për fejesën tuaj. Është e rëndësishme që familjes të jeni ju ata që ja përcillni këtë lajm dhe jo ndërmjet dikujt tjetër apo në telefon.
2. Zgjidhni datën dhe vendin.
Sigurisht që nuk do ta caktoni datën e dasmës që ditën pasi keni thënë “po”, por brenda dy javëve të para duhet të keni një ide mbi datat që parapëlqeni. Kështu që, do të krijoni një ide mbi kohën që keni në dispozicion për të planifikuar buxhetin.
3. Planifikoni buxhetin.
Pasi të keni menduar për një datë dhe një vend paraprak për ceremoninë e dasmës suaj është koha të filloni të flisni për financat. Nëse do të paguani vetë për të gjitha, atëherë do ju duhet të vendosni se sa do të kurseni çdo muaj. Nga ana tjetër, nëse prisni që një pjesë të shpenzimeve t’i mbulojnë prindërit, bisedoni me ta mbi pritshmëritë tuaja.
4. Bëni gati listën e të ftuarve.
Kjo është gjithashtu një periudhë ku duhet të mendoni paraprakisht numrin e të ftuarve që pritet të marrin pjesë në dasmën tuaj. Në këtë mënyrë, mund të planifikoni kështu sa pjesë e buxhetit do të shkojë për pjatat e ofruara.
5. Filloni kërkimet për fustanin.
Përsa i përket fustanit, bëni mirë ta gjeni herët. Jepet kjo këshillë sepse pasi porositen, fustanet mund të marrin disa muaj për përgatitjen dhe për ndryshime që ju mund të mendoni gjatë rrugës.