Në rast se dasma juaj bën pjesë tek ai lloj dasme që prindërit tuaj e kanë planifikuar prej vitesh, atëherë nuk keni pse shqetësoheni për këtë pjesë. Por, nëse është e kundërta, ju dhe i fejuari juaj jeni vetëm në këtë rrugëtim.
Kurrë mos mendoni se planifikimi i dasmës suaj do të jetë një eksperiencë e lehtë. Por, është qetësues fakti që do të keni afër specialistë të kësaj fushe, të cilët do ta bëjnë këtë detyrë më të menaxhueshme. Këta specialistë do të jenë gati për t’ju këshilluar e dëgjuar, për të drejtuar dhe organizuar proçesin e planifikimit të dasmës suaj. Përfitoni nga eksperienca e tyre dhe mos u përpiqni të bëni realitet të gjitha ato që keni menduar mbi dasmën tuaj. Ekspertët dinë disa gjëra që nuk bëjnë pjesë në specializimin tuaj, prandaj ndonjëherë është mirë që t’i lini në dorën e tyre.
Pasi të keni listuar gjërat që doni të jenë pjesë e dasmës suaj do ju duhet të filloni kërkimet për një këshillues dasmash. Nëse jetoni në një qytet të madh kjo zgjedhje do të jetë më e vështirë pasi para jush do të keni më shumë alternativa. Për t’ju ndihmuar në këtë zgjedhje, më poshtë kemi renditur disa karakteristika që një këshillues i mirë dasmash duhet të ketë gjithmonë.
1. Keni respekt reciprok për njëri-tjetrin.
Ju mund të keni shumë pyetje mbi protokollin dhe mënyrën se si gjërat do të organizohen, prandaj këshilltari juaj duhet t’i kuptojë mjaft mirë këto pyetje dhe t’ju japë përgjigje sa më të qarta. Gjithashtu, ata duhet t’ju shikojnë në të njëjtin nivel me ta dhe jo të përpiqen t’ju thonë se ata kanë gjithmonë të drejtë.
2. Mund të flisni lirisht me ta.
Duhet të gjeni atë këshillues me të cilin mund të flisni lirisht për gjithçka, edhe nëse i bëni pyetjet më të thjeshta, ata do ju përgjigjen pa hezitim. Por, sigurohuni që fjala juaj po dëgjohet.
3. Ka shije të mira, i kupton ngjyrat dhe dizejnimin.
Ky person do ju ndihmojë të krijoni dasmën e ëndrrave tuaja. Kështu, është tepër e rëndësishme që ai të kuptojë shijet tuaja dhe të jetë në gjendje t’i perfeksionojë ato në krijimin e dasmës suaj. Për t’u siguruar për këtë, mund t’i kërkoni planifikuesit që keni zgjedhur një portofol me dasmat që ka krijuar ndër vite.
4. Ka reputacion të fortë në industrinë e dasmave.
Kushtojini një rëndësi speciale punëve të mëparshme të tij. Ky person do të organizojë një skuadër me njerëz që do të punojnë me një qëllim të vetëm; krijimi i dasmës së ëndrrave tuaja. Prandaj, duhet të ketë marrëdhënie të mira me të gjithë në mënyrë që kjo të bëhet realitet. Nuk do të ishte ide e keqe nëse do të kërkonit të flisnit me një nga klientët e tij më të fundit.
5. Është person i organizuar.
Detyra kryesore e një këshilluesi dasmash është t’ju mbajë të fokusuar, të qetë dhe të përditësuar me axhendën. Pra, ai/ajo duhet të krijojë një axhendë të personalizuar pasi ju të keni biseduar me të dhe t’i qëndrojë asaj axhende deri në fund. Pyesni nëse mund të shikoni një axhendë paraprake.
6. Është i trajnuar dhe me eksperiencë në fushën e planifikimit të dasmave.
Në një ditë si kjo është e rëndësishme që të mos ketë gabime. Personi që do të punësoni duhet të dijë se si të kujdeset që kjo të ndodhë nga fillimi e deri në fund të dasmës suaj. Kërkoni referenca për këtë person dhe bëjini pyetje mbi eksperiencat e tij.
7. Do të fokusohet vetëm tek dasma juaj për atë periudhë kohe.
Kërkoni që qendra e vëmendjes të personit që do të punësoni të jetë dasma juaj. Në këtë mënyrë, nuk do të ketë arsye pse dasma juaj të jetë dytësore në sytë e tij/saj dhe në përfundim rezultati do të jetë ai që ju keni pritur gjithmonë.
Mbajeni këtë listë në mendje në momentin kur jeni duke kërkuar për këshilluesin e duhur. Ndoshta nuk do ta gjeni menjëherë “të duhurin”, por mos u shqetësoni. Mjafton të fokusohuni tek ajo që kërkoni dhe do ta gjeni.