Nëse po mendoni ta organizoni dasmën tuaj në një nga ditët e fundit të vitit, më poshtë keni disa nga avantazhet dhe disavantazhet që do ju bëjnë ta mendoni dy herë këtë para se ta vendosi:
Avantazhet
1. Të gjithë kanë shpirtin e festës.
Në këtë kohë të vitit dhe afër festave të gjithë ndihen më të lumtur. Arsyet janë të shumta. Puna dhe pak po mbaron, koha e lirë po shtohet, fëmijët gëzohen nga dhuratat e Babagjyshit dhe do të keni më shumë kohë për të dalë me miqtë. Imagjinojeni gjithë këtë energji pozitive dhe në dasmën tuaj, ku ka më mirë se kaq?
2. Zbukurime nga festat e fundvitit.
Mendojeni pak: topa të vegjël me xixa, pema e Krishtlindjeve dhe shumë drita rrezëllitëse. Sigurisht, çdo dasmë është magjike, prandaj një e organizuar në prag të festave të fundvitit do të ishte edhe më shumë. Madje, vendosja e dhuratave të vogla e të personalizuara në pemë për të ftuarit do të ishte një ide shumë e mirë për t’i falenderuar ata për pjesëmarrjen e tyre.
3. Ushqimi i festave.
Një arsye që të gjithë mezi i presim festat e fundvitit është ushqimi i shijshëm. E njëjta gjë ndodh edhe me dasmat. Kombinimi i këtyre dy menuve do të ishte perfekt dhe të gjithë do të ishin mëse të lumtur.
4. Të ftuarit mund të kishin më shumë kohë për të festuar.
Duke qenë se të gjithë kanë marrë disa ditë pushim për festat e fundvitit, kjo do të thotë që të ftuarit do të kenë më shumë kohë për të festuar. Pse mos të jetë dhe dasma juaj juaj një nga arsyet që ata do të festojnë? Gjithashtu, ata mund të kenë mundësi të kënaqen më shumë sepse nuk kanë pse mendojnë për ditën e gjatë të punës që i pret nesër.
5. Përvjetorët do të jenë fantastikë çdo vit.
Çdo vit, ju do ta festoni përvjetorin e martesës suaj nën dritat e bukura të festave të fundvitit. Mund të zgjidhni nga një mënyrë të re festimi çdo vit. Si për shembull: shikimi i filmave romantikë por me temë krishtlindjesh, një ecje nën dritat e qytetit apo kalimi i një kohë të bukur me familjet tuaja.
Disavantazhet
1. Të ftuarit mund të kenë plane të tjera.
Ndoshta, për ju dasma mund të jetë eventi më me rëndësi i këtij fundviti, por kjo nuk do të thotë se të ftuarit tuaj do të mendojnë të njëjtën gjë. Me ditët e punës që po vijnë drejt fundit, shumë nga ne mundohen të rezervojnë pushime jashtë vendit. E njëjta gjë mund të ndodhë dhe me shumicën e të ftuarve tuaj. Prandaj, mund të ndodhë që ata të mos jenë pjesë e dasmës tuaj.
2. Moti i ftohtë.
Shumë njerëzve u pëlqen moti i ftohtë, por kur ndodhen brenda në shtëpinë e tyre të ngrohtë duke festuar Krishtlindjet apo Vitin e Ri me familjen e tyre. Gjatë stinës së dimrit shumë njerëz preken nga gripi, prandaj nuk do të ishte një mendim me vend që viruset të ishin kudo në sallën e dasmës. Gjithashtu, do të ishte shumë e vështirë të zgjidhje veshjet e duhura, pasi vetëm fustani nuk do të mjaftonte kundër të ftohtit.
3. Furnizuesit tuaj të preferuar do të ishin të zënë.
Periudha e fundvitit është një periudhë tepër e zënë për të gjitha bizneset. Ka shumë gjasa që shitësit që ju mendoni të punësoni për dasmën tuaj të jenë të prenotuar për ditën që ju keni planifikuar dasmën. Ju këshillojmë që të prenotoni shitësit tuaj të preferuar që muaj më parë që të kurseni zhgënjime të mëvonshme.
4. Shkollat janë të mbyllura.
Kjo mund të duket si diçka e mirë, por jo për të ftuarit që kanë fëmijë dhe nuk i sjellin dot në dasmë. Për ta mund të jetë e vështirë të gjejnë një dado vetëm për atë ditë, prandaj mundet të vendosin të qëndrojnë me fëmijën e tyre dhe të mos jenë pjesë e dasmës suaj.
5. Shitësit do të jenë duke festuar vetë.
Shitësit që mendoni të zgjidhni janë njerëz gjithashtu, ata mund të jenë duke planifikuar festën e tyre personale. Prandaj, kur të vijë puna tek planifikimi i dasmës suaj, zgjedhjet mund të jenë të limituara.