Edhe nëse keni pak kohë të lidhur apo keni vite së bashku, është mirë që të mbani shpirtin e entuziazmit gjatë gjithë kohës. Kjo do të thotë që të mos jeni monotonë në mënyrën se si e kaloni kohën së bashku, apo se si zgjidhni të kaloni festat e ndryshme. E njëjta gjë ndodh dhe me festën e të dashuruarve, Shën Valentinin. Me shumë mundësi, ju mendoni që e vetmja mënyrë për të festuar në këtë ditë është një darkë romantike në një restorant të shtrenjtë në qytet. Por, nuk ka pse të jetë kështu.
Ka ardhur koha që ta merrni vetë këtë ditë në duart tuaja dhe të festoni sipas mënyrës suaj të parapëlqyer. Kjo ditë shërben për t’u larguar pak nga monotonia e përditshme dhe të kaloni kohë me partnerin/en, duke festuar dashurinë tuaj. Këtë Shën Valentin mendoni përtej të zakonshmes dhe planifikoni një ditë të veçantë për ju të dy. Shikoni listën e mëposhtme për disa ide speciale mbi mënyrën se si mund ta festoni ditën e Shën Valentinit.
- Organizoni një piknik.
Ku ka më mirë se të merrni një shportë, ta mbushni me ushqime të mira e të kaloni një kohë të bukur me personin tuaj të zemrës? Edhe nëse koha nuk është në favorin tuaj për ta organizuar këtë piknik në një vend të hapur, mund ta shtroni atë në tapetin e dhomës së ndenjes. Kjo do të tregojë që jeni përpjekur të mendoni një ide të ndryshme nga darka e zakonshme dhe gjithashtu, nuk do ju duhet të bëheni gati për të shkuar në restorant. - Shkoni diku me muzikë live.
Edhe nëse është një koncert i artistit tuaj të preferuar, apo të dëgjoni një këngëtar të ri në lokalin që frekuentoni shpesh, do të jetë më argëtuese sesa një darkë klishe. Shikoni se cilat janë eventet e reja në qytet, mësoni se kush do të jetë i ftuar dhe bëhuni gati për një natë speciale. Madje, mund të frekuentoni dhe një karaoke, ku mund të këndoni e të kërceni së bashku e të bini dhe një herë tjetër në dashuri. - Ndiqni një kurs së bashku.
Dita e Shën Valentinit nuk ka pse të jetë gjithmonë e mërzitshme dhe romanca nuk ka pse të jetë gjithmonë, epo, romantike. Ndonjëherë të mësoni gjëra të reja së bashku është po aq e rëndësishme sa kalimi i një natë romantike. Mund të frekuentoni një kurs për qëndisje apo një kurs gatimi. Ajo që ka rëndësi është që do të kaloni një ditë jashtë të zakonshmes dhe do të mësoni një gjë të re së bashku. - Takim mëngjesi.
Me siguri që personi juaj i zemrës do të mendojë se rezervimi i takimit tuaj është në orët e natën apo pasdites, por pse të mos e surprizoni atë me një mëngjes të shijshëm? Fillojeni ditën me romancë dhe do të ndiheni plot energji për vazhdimin e saj. Gjatë kësaj dite, do të ndiheni gjithashtu më të emocionuar për të ritakuar partnerin/en tuaj në fund të ditës. - Bëhuni turistë.
Jeni në humor për pak aventurë? Ndërroni rutinën dhe udhëtoni në një qytet turistik afër jush. Mund të kaloni një ditë të bukur në qytetin historik të Beratit apo të vizitoni Apolloninë. Nëse nuk keni mundësi për t’u larguar nga qyteti juaj, mund të frekuentoni muzeun e qytetit tuaj, së bashku me partnerin/en. Do të jetë një ditë speaciale dhe pse jo, do të mësoni më shumë mbi historinë e vendin tonë. - Zgjoni shpirtin tuaj fëmijëror.
Nëse nuk ju pëlqen të shpenzoni shumë kohë për t’u bërë gati për darkën e shtrenjtë në një nga restorantet e qytetit tuaj, atëherë konsideroni të shkoni për bowling apo në patinazh. Nuk ka se si të mos kënaqeni duke sfiduar veten në këto aktivitete apo dhe të tjera. Mund të krijoni një lidhje të veçantë me partnerin/en tuaj duke mbajtur duart kapur teksa rrëshqisni në akull apo mund të zgjoni shpirtin e konkurrencës duke u përpjekur të shënoni sa më shumë pikë në bowling. Ajo që ka më tepër rëndësi është koha që do të kaloni së bashku.
