Nëse nusja ju ka kërkuar të bëheni shoqëruesja e saj në dasmë, ky është një nder i madh për ju. Por, mund të ndodhë të mos jeni dakord me disa nga vendimet që ajo merr për eventet e ndryshme para-martesore. Për të mos shkaktuar më shumë stres tek nusja, do të jetë mirë sikur të mos e ngrini zërin për këto pakënaqësi.
Nëse do të keni gjëra të paqarta përsa i përket rolit tuaj dhe pritjet që nusja ka mbi angazhimin tuaj kohor dhe financiar, ajo që duhet të bëni është ta bisedoni këtë para se ta merrni përsipër këtë detyrë. Në momentin që e keni pranuar këtë detyrë, ja tek janë disa nga gjërat, për të cilat një shoqëruese nuseje nuk duhet të ankohet kurrë:
1. Shoqërueset e tjera.
Nuk është në dorën tuaj se cilat do të jenë shoqërueset që nusja do të zgjedhë, prandaj nuk ja vlen që ju të kundërshtoni mbi këtë fakt. Nuk ka asnjë dyshim që ajo e ka menduar shumë mirë se kë do të caktojë si shoqëruese të saj, prandaj nëse ju keni disa kontradikta me dikë nga to, përpiquni t’i anashkaloni ato që të jeni të gjitha aty për nusen. Nuk bëhet fjalë për një festë ditëlindjeje, por për një dasmë. Dhe nëse do të lindin konflikte mes shoqërueseve të nuses do të krijohej një situatë jo e këndshme gjatë organizimit të dasmës dhe gjatë dasmës vetë.
2. Ndikimi në buxhetin tuaj.
Jo të gjitha çiftet e kanë buxhetin të mjaftueshëm për të paguar për shpenzimet e dasmës, prandaj mund të lindë nevoja që nga kjo të preket dhe xhepi juaj. Sigurisht që askush nuk do ju detyrojë të paguani për çdo gjë, por të qenurit një shoqëruese e nuses ka cmimin e vet.
3. Akomodimi.
Për ato dasma që bëhen në vende turistike dhe për të cilat ju duhet të udhëtoni, akomodimi është një kriter që diskutohet shpesh. Është e rëndësishmë që shoqërueset e nuses të jenë në të njëjtin ambient me nusen, të paktën një ditë para dasmës. Prandaj, nuk është etike që të ankoheni për çmimin, nëse është shumë i lartë apo shumë i ulët dhe nuk ju pëlqen. Kjo do të jetë vetëm për një natë.
4. Fustani.
Fustani i nuses dhe ai i shoqërueseve të saj është një zgjedhje që nuk ju përket juve. Mos harroni, ju jeni aty për të mbështetur nusen dhe do të vishni atë që ajo ka vendosur për ju.
5. Marrja përsipër e shumë detyrave.
Nëse së bashku me shoqërueset e tjera keni marrë përsipër një festë të papritur, pavarësisht axhendës suaj të ngushtë, atëherë nuk duhet të ankoheni më vonë. Ajo që duhet të bëni është të mos bini dakord për plane që i tejkalojnë detyrat tuaja si shoqëruese.
6. Festa e beqarisë.
Ndoshta ju doni të organizoni një festë të madhe, me muzikë të lartë dhe një mjedis ekstravagant. Por, nusja do të organizojë një mbledhje të vogël, ku mund të pini një filxhan çaj e të shijoni shoqërinë e njëra-tjetrës. Të gjithë kanë një perceptim ndryshe mbi festën e beqarisë, prandaj mos i ndjeni keq nëse shijet e nuses nuk janë të njëjta me tuajat.
7. Bashkëpunimi i partnerëve.
Çdo çift ka mënyrën e vet të organizimit të dasmës. Disa duan t’i planifikojnë vetë të gjitha, ndërsa disa i kanë detyrat e ndara, por nuk është në dorën tuaj se si duhet të ndahen këto detyra. Kjo është diçka që varet vetëm nga dëshira e atyre vetë.
8. Caktimi i ditës së dasmës.
Vera mund të jetë e nxehtë, në pranverë mund të prekeni nga alergjitë, në vjeshtë mund të gjendeni poshtë shiut dhe në dimër mund të jetë shumë ftohtë. Të gjitha stinët kanë vështirësitë e tyre, por nuk është në dorën tuaj të vendosni mbi caktimin e ditës së dasmës.
9. Eventet pas-martesore.
Me shumë mundësi, një ditë pasi dasma të mbarojë mund të organizoni një mëngjes apo një drekë me shoqërueset e tjera dhe nusen. Kjo është një kohë që duhet shfrytëzuar për të folur mbi detajet e dasmës dhe se sa mirë ja keni kaluar. Jo për t’u ankuar se gjërat mund të ishin bërë ndryshe.
