Pranvera po vjen dhe bashkë me të edhe sezoni i dasmave. Ky artikull është posaçërisht për nuset e vitit 2019. Inspirimi nuk mungon në rrjetet sociale ose në revistat online të dasmave, por ne gjithmonë përpiqemi t’ua lehtësojmë “punën”. Prandaj kemi përgatitur për ju një listë me trendet më të fundit për vitin 2019.
Fustani i nuses
Le të fillojmë me gjënë më të rëndësishme, si për ju ashtu edhe për buxhetin tuaj, fustanin. Këtë vit trendet e fustaneve të nusërisë janë padyshim të inspiruara nga Meghan Markle. Një fustan në ngjyrë të bardhë të pastër, i gjatë, i mbyllur në pjesën e qafës, do t’ju bënte një nuse shumë moderne. Një tjetër trend që solli Meghan është edhe velloja e gjatë, aksesor ky që do t’i jepte një madhështi pamjes tuaj.
Lulet
Prej shumë vitesh kanë qenë trend buqetat e luleve me ngjyra të zbehta. Këtë vit do të shohim një rilindje të luleve me ngjyra të ndritshme dhe të thella në buqetat e nuseve. Sipas ekspertëve, 2019 është viti i lules së quajtur “Dahlia”, ne ju sugjerojmë të përdorni edhe lulen “Peoni”. Duhet të keni gjithmonë parasysh që buqeta e nuses të jetë e kombinuar me lulet që do përdoren në dekorin e ambjentit ku do të zhvillohet dasma apo ceremonia.
Ftesat e dasmës

Përdorimi i ftesave të dasmave nuk do të ndalojë as në vitin 2019. Ato do i shohim në forma të ndryshme gjeometrike, me printe me bojëra uji dhe me vula prej dylli. Ekspertët sugjerojnë t’i personalizoni ftesat e dasmës me foton tuaj si çift.
Ushqimi

Ushqimi në pritjet e dasmës po zë një vend më të rëndësishëm seç ka patur në vitet e mëparshme. Gjithmonë e më shumë po i kushtohet një vëmendje më e madhe dhe ai po bëhet më i personalizuar dhe më i përzgjedhur. Në pjatat e dasmës tuaj këtë vit guxoni të përdorni prodhimet e detit ose tacos. Për pijet ju sugjerojmë të përdorni kokteje të personalizuara sipas shijeve tuaja.