/ NGA MyWedding Albania/ Të Përgjithshme/

Ishte historia e dashurisë më e gjatë, më e dashur ndër martesat presidenciale në Sh.B.A. Vdekja e George H. W. Bush ditën e premte, në moshën 94 vjeçare erdhi tetë muaj pas ndarjes nga jeta së bashkëshortes së tij, Barbara Bush. Dashuria dhe romanca e tyre zgjati plot 73 vjet dhe ata urrenin momentet kur ishin larg njëri-tjetrit. Një nga shokët e tyre ka thënë: “Më në fund George është përsëri aty ku dëshironte të ishte, pranë saj.”

Të dashuruarit u takuan kur ishin ende në shkollë, Barbara ishte 16vjeçe dhe George 17 vjeç. Në autobiografinë e tij, George përmend se si vajza me fustanin e kuq dhe të gjelbër e kishte bërë për vete menjëherë dhe se si i ishte lutur një shoku të tij që ta prezantonte me të. Barbara ka cituar më parë se: “Unë u martova me mashkullin e parë që kam puthur dhe kur jua them këtë nipërve, nuk më besojnë.”

Rreshtat më poshtë janë disa nga të shumtët që George i ka dedikuar dashurisë së jetës së tij, Barbarës.

“Kjo duhet të jetë një letër e thjeshtë për t’u shkruar – fjalët duhet të vijnë vetë dhe shkurtimisht unë do ta kem të thjeshtë të të them se sa u lumturova, kur hapa letrën dhe pashë njoftimin e fejesës sonë, por çuditërisht nuk po mundem dot ta shkruaj çdo gjë në këtë letër. Të dua, e dashur, me gjithë zemrën time dhe të di që edhe ti më do, do të thotë shumë për mua. Kushedi sa herë e kam menduar lumturinë e pamatshme që do të jetë e jona një ditë. Sa me fat do të jenë fëmijët tanë që do të kenë një nënë si ty”.