Edhe nëse është apo jo dasma e parë në të cilën po merrni pjesë, duhet të mbani mend se në një dasmë ka disa etiketa të cilave duhet t’u përshtateni. Është e vërtetë se dasmat e sotme janë më pak të komplikuara se ato që bëheshin në kohën e gjyshërve tanë përsa u përket riteve që ndiqen, por gjithsesi, ka disa rregulla që duhet të keni në mend kur do të merrni pjesë në ditën më të lumtur të një çifti.
Konfirmoni pjesëmarrjen tuaj në dasmë.
Ftesat e dasmave nuk janë thjesht karta të bukura që kanë emrin tuaj në to, ato janë një strategji që përdoret nga organizuesit e dasmës për të qenë të sigurtë mbi numrin e pjesëmarrësve. Kështu që, bëni mirë ta vini në dijeni çiftin nëse ju do të merrni pjesë tek ajo dasmë apo jo.
Mos ftoni njerëz si shoqëruesit tuaj.
Nëse ftesa ka vetëm emrin tuaj, mos mendoni se mund të ftoni dhe dikë tjetër. Shpesh çiftet që martohen kanë një buxhet të ngushtë, prandaj do të ishte mirë që as mos të përpiqeni ta kërkoni këtë nga ata. E njëjta gjë vlen dhe për fëmijët. Nëse në ftesë nuk përmendet fjala “familje” atëherë bëni mirë të gjeni një dado për fëmijën tuaj në atë natë.
Jini korrekt me kohën e caktuar në ftesë.
I vetmi person që ka të drejtë të jetë vonë në dasmë është nusja. Kështu që, bëni mirë të mbërrini në vendin ku do të mbahet ceremonia 30 minuta para orës së fillimit.
Mos çoni një dhuratë të madhe në dasmë.
Nëse do të shkoni në një dasmë me një dhuratë të madhe në duar, do të jetë e vështirë, jo vetëm për ju, por edhe për ata që do të merren me grumbullimin e tyre. Ajo që mund të bëni është ta dërgoni atë dhuratë drejt e në shtëpinë e çiftit.
Përmbajuni kodit të veshjes.
Nëse ju është kërkuar që të visheni me të verdhë, atëherë përpiquni ta respektoni këtë dëshirë. Nëse gjetja e një fustani apo kostumi të verdhë është tepër e vështirë për ju, mjafton të kombinoni një aksesor me atë ngjyrë.
Mos u vishni me të bardha.
Edhe nëse nusja ka vendosur të shfaqet në dasmë me një fustan të kuq, në asnjë mënyrë nuk duhet të vishni ngjyrën e bardhë.
Uroni të dyja familjet.
Ndodh që mund të mos i keni takuar kurrë prindërit e çiftit, është mirë që t’i kërkoni ata e t’i uroni për martesën e fëmijëve të tyre. Nëse emrat e tyre shfaqen në ftesë si organizatorë të dasmës, atëherë ju mund t’i falenderoni dhe t’u thoni se sa po e shijoni dasmën.
Mos harroni të fikni telefonin.
Gjëja që nuk i pëlqen një çifti është kur të ftuarit e tyre e fshehin fytyrën pas nje telefoni apo nje tableti, duke u munduar të kapin foto për të hedhur në rrjetet sociale. Gjithashtu, askush nuk do të dëgjojë një zile telefoni në momentin që çifti po shkëmben betimet. Ky rregull mund të thyhet pak në pjesën e banketit, por gjatë ceremonisë është e ndaluar.
Kërceni sa më shumë.
Largohemi pak nga gjërat që nuk preferohen nga çifti që po martohet dhe shkojmë tek ato të pëlqyeshmet. Krijimi i një atmosfere festive në një dasmë është ëndrra e atyre që po martohen. Kjo do të thotë që organizimi ka qenë i duhur dhe askush nuk po rri ulur në karrigen e tij gjatë gjithë kohës. Kështu që, ngrihuni, merrni dhe shokët/shoqet tuaja dhe filloni të kërceni.
Mos u dehni.
Shumë dasma kanë një bar të hapur me pije të ndryshme. Por, kjo nuk do të thotë që ju mund t’i provoni të gjitha ato. Pini një gotë ujë pas çdo gote alkooli. Gjithashtu, sigurohuni që të keni ngrënë mirë, në mënyrë që ta mbani pijen sa më shumë. Askush nuk do që të jetë ai person që krijon një skenë në mes të dasmës dhe ua prish rehatinë të gjithë të ftuarve.