Nuk jeni të sigurta sesi t’i ndani detyrat e shoqërueseve sepse nuk dini se çfarë të prisni nga to? Me ndihmën e artikullit të mëposhtëm mund të krijoni një ide mbi ato ç’ka mund të prisni nga shoqërueset tuaja dhe ç’ka ato mund të presin nga ju.
ÇFARË MUND TË PRISNI NGA SHOQËRUESET TUAJA
1. Të jenë shoqet më të besuara për ju.
Gjatë përgatitjeve të dasmës, do të jeni të rrethuara nga gjëra që ju stresojnë. Kështu që, do ju duhet dikush, me të cilin mund të flisni për problemet tuaja dhe që do ju këshillojë për të gjetur zgjidhjen e duhur. Kush më mirë se një nga shoqërueset tuaja për ta marrë përsipër këtë detyrë? Por, mos harroni se as ato nuk janë robotë. Mos shkoni tek to vetëm kur keni nevojë për mbështetje emocionale, qëndroni në gadishmëri edhe kur ata kanë nevojë për diçka.
2. Mund t’u besoni disa nga punët e dasmës.
Ndoshta ditët e fundit keni qenë të zëna me punë të ndryshme dhe disa të tjera i keni lënë pas dore. Padyshim që mund t’u kërkoni ndihmë shoqërueseve tuaja për të përfunduar disa nga këto detyra. Për shembull, njëra mund të marrë katalogjet e luleve, ndërsa tjetra menutë e restorantit që keni zgjedhur.
3. Të mbulojnë disa nga shpenzimet tuaja.
Sipas traditës, shoqërueset e nuseve duhet të paguajnë vetë për fustanin, këpucët dhe aksesorët e veshjes së tyrë në dasmë. Gjithashtu, mund të kontribuojnë në shpenzimet e festës së beqarisë dhe të marrin përsipër transportin dhe dhuratat e dasmës.
4. Të kujdesen për ju deri ditën e dasmës.
Kur të vijë dita e madhe, shoqërueset e juaja duhet të jenë aty për t’u kujdesur për detajet e vogla. T’u përgjigjen pyetjeve të të ftuarve dhe të ndihmojnë me përgatitjet e fundit. Gjithashtu, ato duhet të kujdesen për ju, të sigurohen që po ushqeheni mirë dhe që nuk po stresoheni aq shumë.
ÇFARË MUND TË PRESIN SHOQËRUESET NGA JU
1. Të merrni në konsideratë gjendjen e tyre financiare.
Të marrësh pjesë në një dasmë nuk është një punë pa shpenzime. Shoqërueset e juaja janë shoqe prej vitesh dhe kështu, ju e dini gjendjen e tyre financiare. Nëse buxheti i tyre nuk i përballon shpenzimet që ju mund të doni të kërkoni nga ato, atëherë mundohuni të gjeni një zgjidhje që është e përshtatshme për të gjitha.
2. Të komunikoni qartë dhe në kohë.
Detyra juaj si nuse është që të përditësoni shoqërueset tuaja për përgjegjësitë e tyre. Nëse ju e bëni këtë, atëherë do të jetë më e lehtë për ato që t’i plotësojnë detyrat që ju i jepni dhe në mënyrën më të mirë.
3. Të jeni mirënjohëse.
Merrni pak kohë për të menduar mbi dhuratat që do t’i dhuroni shoqërueseve, për t’i falenderuar për ndihmën e dhënë. Nuk keni pse shpenzoni shumë në këto dhurata, një dhuratë e menduar mirë ka më shumë vlerë sesa një dhuratë e shtrenjtë.
