Dasma dhe vetë martesa është një event shumë i rëndësishëm, një nga më të rëndësishmit të jetës suaj. Një dasmë kërkon jo vetëm një përkushtim të madh, por dhe një buxhet të mirë. Shumë çifte pohojnë se gjatë kohës kur janë të fejuar kanë disa nga zënkat e tyre më të mëdha dhe kjo ndodh si shkak i stresit të tepërt. Por, këto zënka kanë prekur dhe familjen, duke krijuar kështu konflikte mes prindërve dhe fëmijëve. Ndërsa është normale që zënka të tilla të ndodhin, duhet të bëni më të mirën që të mos lejoni që një keqkuptim i vogël të kthehet në një konflikt serioz. Kjo mund të ndikojë dhe në atmosferën festive në ditën tuaj më të lumtur. Më poshtë, kemi përmendur disa nga zënkat më tipike me prindërit gjatë fejesës, kështu do të dini se cila situata të shmangni.
1. Përplasje pëlqimesh.
Shpesh herë, mamatë e nuseve duan që dasma e vajzës së saj të jetë ashtu siç ato e kanë imagjinuar gjithmonë. Dëshirojnë që detajet t’i vendosin ato, pa menduar se ajo që do të martohet është dikush tjetër. Këto përplasje pëlqimesh mund të fillojnë nga ngjyra mbizotëruese e deri tek forma e tortës, nga zgjedhja e një dasme tradicionale apo moderne deri tek lloji i fustanit.
2. Buxheti.
Nëse janë prindërit ata të cilët po e financojnë dasmën, ata mund të kenë caktuar një buxhet konkret. Këtu lindin dhe konfliktet. Ju mund të doni që me një sasi të caktuar parash të merrni si DJ një nga më të mirët e momentit, por prindërit duan t’i shpenzojnë ato para në diçka tjetër. Përderisa preferencat tuaja janë komplet të ndryshme nga ato të prindërve, por nuk keni buxhetin tuaj, do ju duhet të bini dakord me një zgjidhje të përbashkët.
3. Lista e të ftuarve.
Me shumë mundësi prindërit do të duan të ftojnë një kushëri të largët në dasmën tuaj. Por, nëse ju nuk i njihni fare ata do të hezitoni pasi një i ftuar më tepër do të thotë një kosto më e madhe. Megjithatë, lista e të ftuarve është një element që duhet marrë seriozisht pasi nuk do të donit që dikujt t’i mbetej hatri nëse nuk do ta keni ftuar.
4. Vendi i ceremonisë.
Po ëndërroni të bëni dasmën tuaj në një nga resortet më luksoze në vend? Po sikur prindërit tuaj të kenë menduar për diçka më të thjeshtë dhe kuptimplotë? Atëherë, vjen momenti për të marrë parasysh të gjitha mundësitë. Duhet të mendoni se deri ku shtrihet buxheti juaj dhe në çfarë vendi do të ishte e pamundur për të ftuarit tuaj të vinin. Më pas, mund të vendosni se ku do ta celebroni dashurinë tuaj.
5. Natyra fetare e dasmës.
Përplasjet midis besimeve fetare mund të shkaktojnë konflikte tek të fejuarit dhe prindërit. Ata mund të kenë planifikuar një celebrim në kishë, ndërsa ju keni menduar për një dasmë jofetare. Apo, ju mund të parapëlqeni dasmën në kishë, ndërsa prindërit tuaj janë të besimit islam. Këto janë tema që hapin konflikte të ndryshme, prandaj bëni mirë që t’i sqaroni të gjitha para se të vendosni.
6. Zgjedhjet e veshjeve.
Në përgjithësi, dasmat e ndodhura në kohën e prindërve tanë, kanë qenë tepër konservative dhe të thjeshta. Prandaj, me shumë mundësi ata nuk do të ndihen mirë nëse ju shikojnë ju duke ecur drejt altarit me një fustan ngjitur pas trupit, shumë të hapur apo shumë të shkurtër. Gjithsesi, kohët kanë ndryshuar dhe ajo që ka më tepër rëndësi është që ju të ndiheni rehat dhe e lumtur me pamjen tuaj. Prindërit duhet ta kuptojnë këtë gjë.
7. Çështje më serioze.
Këto janë ato lloj konfliktesh që lindin për shkak të pakënaqësive ndaj zgjedhjes së partnerit. Shpesh herë prindërit priren t’i bëjnë këto pakënaqësi të dukshme, prandaj është në dorën tuaj t’i fshihni këto shenja dhe t’u tregoni atyre që ju jeni të sigurtë për zgjedhjen tuaj dhe kjo gjë nuk do të ndryshojë. Në të shumtën e rasteve prindërit do ta kuptojnë këtë dhe do të bien dakord që ky konflikt është krijuar pa baza argumentash. Më pas, ata do të jenë me ju në çdo hap të planifikimit të dasmës.